“Të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore”, Rama reagon sërish ndaj fushatës së Bashës

basha ne korce reagon rama 600x338

Kryeministri Rama ka reaguar sërish të martën për grumbullimet e qytetarëve gjatë fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Sot, Basha u prit nga qindra qytetarë në qytetin e Korçës.

“Të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore”, thoshin latinët.

Më tej, Rama bën një krahasim mes Korçës ku Basha vijoi fushatën dhe Tiranës ku kryhet vaksinimi ndaj koronavirusit.

“Kjo këmbëngulje prej shejtanbudallai në fajin e kërcënimit të shëndetit të njerëzve për interesin mizerabël të një fushate edhe më mizerabël, me makina, bori, zhurmë e turmë, duke bërë përshesh në çdo shesh, është një djallëzi prej njerëzish pa vizion, pa karakter, pa përgjegjësi e as fije njerzillëku.

Sot në Tiranë, ku vazhdon vaksinimi masiv e në Korçë, ku u krye një tjetër faj i shëmtuar infektimi masiv.

(Lus Zotin që për dy a tre javë që i duhen virusit të kapë rrugët e frymëmarrjes, këta njerëz të verbër e të keqpërdorur, të mos përfundojnë spitaleve për mullaqet e Lulëzimit e për mustaqet e Saliut”.

Nuk vonoi shumë dhe PD reagoi ndaj kryeministrit Rama. “I kapur mat në panikun e humbjes, Edi Rama shqetësohet çdo ditë për mikpritjen e shqiptarëve për Lulzim Bashën. Edi Rama e ka kuptuar që shqiptarët duan ndryshimin dhe askush nuk e ndal dot më këtë. Humbja e zgjedhjeve e ka bërë nervoz dhe për këtë ai sulmon takimet tona elektorale. PD është parti që funksionon sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi. Kërcënimet dhe keqinformimet e Edi Ramës nuk e ndalojnë dot rrugën drejt fitores së Partisë Demokratike. Në 25 prill Rama do të humbë dhe Shqipëria do të fitojë”, mbyllet reagimi i Partisë Demokratike.