Krasniqi për fushatën e PS: Të jep përshtypjen sikur kemi një ekip milioneresh që kanë dalë nëpër qytetet e Shqipërisë

Analisti Afrim Krasniqi komentoi në “Absolut 4” fushatën elektorale të Partisë Socialiste, duke u shprehur se duket si një ekip të pasurish që kanë dalë dhe po njohin Shqipërinë.

Sipas Krasniqit, PS nuk ka program dhe ka si strategji të marrë vetëm votat e militantëve dhe punonjësve të shtetit.

“Në jemi në mandatin e dytë të PS. Është një mandat konsumi. Është një mandat që e ka lodhur Partinë Socialiste dhe energjinë e saj. Ajo përdor argumentin e pandemisë dhe tërmetit por nga qytetarët shqiptarë është votuar për një program dhe sot është koha kur ajo do të duhej të përgjigjej për atë program.

Të jep përshtypjen, e gjithë fushata sikur kemi një ekip të pasurish, një ekip milioneresh që kanë dalë nëpër qytetet e Shqipërisë dhe po njohin Shqipërinë. Flasin me një gjuhë e cila nuk është politike, nuk ka program. Por, shohim denigrim të figurave politike, të medias, shoqërisë civile apo tjerë. Kjo nuk është rastësishme. Është strategji e PS sepse interesi i PS është të votojnë vetëm militant dhe punonjës të shtetit.”