Kredia për bizneset, bie niveli i huave të reja në dy muajt e parë të vitit

Pandemia e Covid-19 ka ngjallur pasiguri të forta te biznesi, i cili po stepet të marrë kredi. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë dy muajve të parë të këtij viti bankat kanë dhënë 15,8 miliardë lekë huatë re për kompanitë private, me rënie 7,6 miliardë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, ekuivalent kjo me 33% më pak.

Degët që kanë tkurrjen më të fortë janë energjia dhe transporti me rreth 77%, bujqësia me 68% dhe tregtia me 44%. Këta janë edhe sektorët që kanë peshën kryesore në portofolin e kredisë bankare. Rënie më të lehtë ka pasur sektori i ndërtimit me 15% më pak hua të re krahasuar me janar-shkurt 2020. Në këtë ecuri reflektohet edhe ndikimi i procesit të rindërtimit që pasoi tërmetin e 26 nëntorit 2019.

Kategoria e vetme me një ritëm kreditimi pak më optimiste ai i vitit të kaluar janë aktivitetet e shërbimit dhe ato familjare, të cilat u goditën ndjeshëm nga mbyllja e detyruar nga pandemia.

Në total këto biznese kanë marrë rreth 64% më shumë kredi në këta dy muaj. Me sa duket, sipërmarrësit e këtij sektori po përpiqen që përmes huamarrjes, të përgatiten për rimëkëmbjen e shumëpritur. Edhe pse ecuria është e dobët, dy muajt e parë ende nuk mund të japin një panoramë të qartë sesi do të jetë ecuria e kreditimit të biznesit gjatë këtij viti.