Kriza e likuiditetit, refuzimi i kredisë shtyu biznesin të shiste asetet

Donika Mici është një nga sipërmarrëset e para në industrinë e veshjeve dhe këpucëve në vend, e cila që prej vitit 1992, eksporton mallrat “Made in Albania” në tregjet europiane dhe botërore. Ashtu si shumë biznese të tjera, e gjetur përballë një krize likuiditeti në fillim të krizës, vendosi të aplikojë për një kredi, që të përshtaste teknologjinë dhe të rriste eksportet. Por një përgjigje negative vendosi fatin e kompanisë së saj, duke e detyruar të largojë punëtorët, për të cilët kishte investuar prej vitesh.

Ndryshe nga një fasonist, që punon me materialet dhe dizajnët e porositësit, një prodhuesi i duhet më tepër likuiditet, duke nisur nga studimi i tregut, pagesat e modelistëve të huaj, përfaqësuesit e shitjeve nëpër botë, e deri tek pjesëmarrja në panairet ndërkombëtare.
Por me dyert e bankave të mbyllura, këto pagesa ishin të pamundura, madje detyruan deri në shitjen e disa fabrikave. Para që do të shërbejnë për të shlyer këstet e kredive ekzistuese, me shpresën për të marrë një hua të re. 

Sipas Micit, riorganizimi i tregtisë botërore ka krijuar mundësi të mëdha për Shqipërinë në sektorin që ajo operon. Tregjet e huaja i janë larguar zinxhirit të furnizimit nga Kina apo India dhe kërkojnë sot partnerët që mund të sjellin produktin shpejt. Partnerët si prodhuesit në Shqipëri që mund të furnizojnë Europën në 3-5 ditë, apo Italinë në vetëm 8 orë.

Edhe me marrjen e një kredie, tashmë gjithçka duhet të nisë nga fillimi për biznesin e Micit. Punonjësit e saj janë sot të shpërndarë në të gjithë fabrikat e tjera, ndërsa humbja e aseteve nënkupton kapacitete më të reduktuara. Megjithatë, ajo shprehet optimiste për të ardhmen.