Mediu: Reflektoni thellë, dita e ndryshimit po vjen, ja pse duhet të votoni

Kandidati me nr.7 i koalicionit “Aleanca për Ndryshim”, Fatmir Mediu, zhvilloi takime me qytetarë në zonën e Kodër Kamzës, ku foli për shqetësimet e tyre dhe kërkesat që ata kishin për politikën.

Gjatë këtij bashkëbisedimi Mediu theksoi se 25 prilli duhet të jetë një ditë reflektimi për ti dhënë fund krimit dhe padrejtësive.

Mediu pohoi vështirësinë në të cilën gjendet vendi dhe rëndësinë e madhe që kanë qytetarët për të vendosur për të ardhmen, progresin dhe dinjitetin. Ndër të tjera ai pohoi se shqiptarët meritojnë një kryeministër dinjitoz, që nuk shan dhe fyen por që mendon për çdo shqiptar dhe të mirën e vendit.

“Lirinë, jetën, mundësinë për të ndërtuar mirëqenien dhe lumturinë tonë, na i ka falur Zoti dhe ne nuk mund t`i lëmë peng as te Edi Rama dhe te asnjë politikani tjetër. Prandaj është momenti që të reflektojmë të gjithë, të majtë dhe të djathtë, sepse po jua them me bindje që Edi Rama nuk përfaqëson as të majtën, as të djathtën, por kultin e njerëzve të cilët nuk njohin asgjë tjetër përveçse korrupsionit, krimit, pushtetit për interesat e tyre korruptive”, u shpreh Mediu.