Meta pret vëzhguesen e OSBE/ODIHR: Do të ndal me çdo kusht presionin mbi qytetarët në zgjedhje

Presidenti Ilir Meta ka pritur sot ambasadoren e Ursula Gacek, e cila drejton Misionin e Vëzhgimit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit. Kreu i shtetit njofton se ka informuar ambasadoren për nismën e tij për të denoncuar të gjitha shkeljet dhe parregullsitë në zgjedhje.  Meta thekson se do të ndalë me çdo kusht presionin ndaj qytetarëve në lidhje me zgjedhjet.

“I përcolla Drejtueses së Misionit, vendosmërinë dhe përkushtimin tim të palëkundur për të garantuar, që qytetarët të shprehin lirshëm dhe pa u cenuar, vullnetin e tyre të plotë në votim.

Theksova se, do të ndalim me çdo kusht dhe mjet, që presioni i krimit dhe shantazhi mbi qytetarët të minojë zgjedhjet, të shkatërrojë demokracinë dhe të ardhmen europiane.

E informova Ambasadoren dhe Kryetaren e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR, për nismën time transparente për mbrojtjen e zgjedhjeve të 25 prillit duke ju krijuar mundësinë të gjithë qytetarëve të denoncojnë me kurajo dhe pa hezitim të gjitha presionet, shkeljet dhe parregullsitë,  që synojnë tjetërsimin e vullnetit të tyre.

Shpreha gatishmërinë për bashkëpunim të plotë për të siguruar paprekshmërinë e zgjedhjeve të vullnetit të sovranit”, shprehet Meta.