Oferta e partive në zgjedhje, Tabaku: Kemi një program të hartuar me ekspertë, pala tjetër ka vetëm batuta

Kandidatja e Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku deklaroi në “Absolut 4” se në këto zgjedhje janë përballë dy realitete krejt të ndryshme.

Tabaku u shpreh se PD vjen në këto zgjedhje me një program të qartë me mbi 500 faqe të hartuar nga 600 persona, ndërsa nga ana e mazhorancës nuk ka asgjë përveç batutave.

“PS ka punuar për propagandën këto vite, ka investuar. Qytetarët kanë dhe një lloj mosbesimi. Në 2013 erdhën në pushtet me premtime bombastike. Njerëzit shprehin skepticizëm pasi nga 2013 nuk është mbajtur asnjë premtim. Dhe përballemi gjatë kësaj fushate me pyetjet e njerëzve; a do i mbani premtime? Ku do i gjeni lekët? A do rikthehet shpresa? Programi ynë është rreth 500 faqe dhe që u prezantua nga një ekip për çdo sektor, ekspertë. Janë mbi 600 persona të përfshirë në hartimin e programit.

Z. Basha po kandidon, është kandidati për kryeministër. PD po punon për të marrë vota për partinë, jo për kandidatët. Unë mendoj që është një çështje që po i kushtohet më shumë interes se ç’duhet. Nga ana tjetër kemi vetëm batuta, nuk ka asnjë program konkret, disa premtime të ricikluara dhe të pambajtura. Pra janë dy oferta pa lidhje me njëra-tjetrën, si nata me ditën. Skepticizmin e qytetarëve e kuptoj, janë të lodhur. Janë zhgënjyer dhe në 8 vitet e fundit”, u shpreh Jorida Tabaku.