Pasaportat diplomatike të Kombëtares, Ministria kërkon të dorëzohen, dokumenti i vlefshëm edhe për 5 vjet

Pasaportat diplomatike të dhëna për kombëtaren shqiptare më 22 qershor 2016, janë kthyer në një çështje diplomatike ndërmjet futbollit dhe politikës. Për më tepër, që Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme kërkon dorëzimin e dokumenteve brenda datës 30 qershor, sepse i ka mbaruar vlefshmëria.

Në këtë pikë, ka një detaj që hedh poshtë pretendimin e ministres aktuale të MEPJ, Olta Xhaçka, që argumentoi se çdo dokument ka një afat të përcaktuar. Pasaportave diplomatike për 23 futbollistët pjesëmarrës në Euro 2016, trajnerin Gianni De Biasi, asistentin Paolo Tramezzani, kreun e federatës Armand Duka, sekretarin Ilir Shulku dhe pjesëtarët e stafit, Erion Bogdani dhe Alban Bushi u përfundon afati më 22 qershor 2026.

Kjo e dhënë na kthen te vendimi i Këshillit të Ministrave, i datës 12 qershor 2019, ku shumë kategorive u janë hequr dokumentet diplomatikë. Në atë kohë, lajmet se pasaportat i’u hoqën edhe heronjve kuqezi, u mohuan nga ish-ministri i deleguar, Gent Caka. Në postimin e tij në “Twitter”, të datës 10 shtator 2019, ai e cilësonte “fundekrye të gënjeshtërt” lajmin e heqjes së pasaportave diplomatike për kuqezinjtë. Faktet flasin, ndërsa realiteti është që prej qershorit të kaluar, vetëm 5 vjet pas fitores me Rumaninë në Europianin e Francës, lojtarët e Kombëtares nuk shihen më si ambasadorët e Shqipërisë nëpër botë.