Shqiptarët në radhë, nuk hezitojnë për dozat anti-covid

Shqipëria vijon vaksinimin e njerëzve me vaksinën AstraZeneca, pavarësisht vendimit të disa shteteve europiane dhe përtej kontinentit, për të bllokuar aplikimin e saj nën moshat 60 vjeç.

Në stadiumin “Air Albania”, mbi 1 mijë vaksinime po kryhen çdo ditë me këtë vaksinë, te mësuesit, edukatoret e kopshteve e çerdheve, dhe pedagogët. Pavarësisht moshës së tyre, ata thonë se nuk kanë hezituar për të marrë këtë vaksinë.

Edhe përfaqësues të lartë të drejtësisë kanë marrë dozën e parë të AstraZeneca, si pjesë e stafeve akademike. Ata kërkojnë që vaksinimi të shtrihet sa më shpejt në radhët e gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve.

Pas mësuesve dhe pedagogëve, AstraZeneca po aplikohet te punonjësit e Gardës së Republikës.  Ndërsa në krahun tjetër të stadiumit vijohet me vaksinimin e të moshuarve mbi 70 vjeç, të cilët po marrin dozën e parë të kinezes SinoVac. Nga fillimi i fushatës, kanë marrë vaksinën anti-covid mbi 138 mijë qytetarë.