Gjyqi me Becchettin, Meta: Avokatura e Shtetit më ka gënjyer. Tabaku: Rama e trajton vendin si çiflig të tijin

15 MARS 2021 META frame 4367 1100x620

Presidenti Meta ka reaguar pas lajmit se sipërmarrësi italian Francesco Becchetti ka fituar përfundimisht gjyqin me shtetin shqiptar, duke fituar kështu 110 milionë euro.

Sipas kreut të shtetit, skandali merr përmasa më të mëdha, për shkak se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion.

“E kam paralajmëruar prej kohësh qeverinë ende në detyrë të heqë dorë nga arroganca dhe të tërhiqet nga çdo vendim abuziv e jashtë procedurave ligjore ndaj investitorëve të huaj në vendin tonë.

Vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro.

Skandali merr përmasa më të mëdha, për shkak se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion.

Në këto kushte, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet fatkeqësisht me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë.

Është koha, që Drejtësia të vendosë para përgjegjësisë ligjore, të gjithë shkaktarët e këtij dëmi ekonomik, edhe për të parandaluar në të ardhmen dëme më të mëdha për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë, për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me pushtetin të zyrtarëve të lartë.”, shkruan kreu i shtetit në Facebook.

Për këtë vendim ka reaguar edhe Partia Demokratike e cila thekson se kjo gjobë rëndon mbi xhepat e çdo shqiptari dhe se çdo ditë e Ramës në pushtet është kosto për familjet shqiptare.

“Çdo shqiptar duhet të paguajë një gjobë prej 4,560 lekësh të reja vetëm për faj dhe keqmanxhim të Edi Ramës. 

Shqipëria do t’i paguajë përfundimisht 110 milion euro sipërmarrësit italian Francesco Becchetti, si pasojë e mbylljes me dhunë të televizionit “Agon Channel”. Këto janë para që dalin direkt nga xhepat e qytetarëve vetëm për shkak të arrogancës dhe arbitraritetit të një njeriu të vetëm, Edi Ramës.

Kjo është vetëm një nga faturat që Shqipërisë dhe shqiptarëve u duhet të paguajnë për faj të këtij njeriu që nuk njeh rregulla dhe refuzon t’i zbatojë ato dhe që e trajton vendin si çiflig të tijin personal.

Edi Rama duhet larguar, sepse çdo ditë e tij më shumë në pushtet është kosto për vendin dhe çdo qytetar e familje.”, shkruan Tabaku në Facebook.