Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB KOSOVA frame 0 1100x620

Komisioni për Ankesat dhe Sanksionet në KQZ merr sot në shqyrtim pretendimet e Partisë Socialiste në lidhje me formatin e fletës së votimit. Sipas mazhorancës versioni me emrat në të përbën ngatërresë te votuesit sidomos te moshat e mëdha, të cilat do ta kenë edhe më të vështirë që të votojnë për kandidatin e preferuar.

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot për krijimin e komisioneve

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancën e tretë të tij për këtë legjislaturë të re me qëllim formimin e komisioneve parlamentare. Të gjitha mediat dyshuan fillimisht se do të votohej për emrin e presidentit të ri pas marrëveshjes së arritur me LDK për Vjosa Osmanin, por ende nuk është konfirmuar dakordësia për votim.

Ligji për shtetësinë në RMV, Zaev: Zgjidhet javën e ardhshme

Ligji për shtetësinë në Maqedoninë e Veriut mban peng edhe të ardhmen e censusit në shtetin fqinj, pasi në territorin e saj jetojnë rreth 2000 qytetarë që nuk e kanë ende një shtetësi dhe kjo do t’i linte ata jashtë regjistrave zyrtare. Për Zoran Zaev gjithçka merr zgjidhje javën e ardhshme.

Merkel apel për kujdes gjatë Pashkës

Kancelarja gjermane Angela Merkel u bëri thirrje qytetarëve të saj të tregohen të kujdesshëm gjatë kremtimit të festës së Pashkës dhe të kenë gjithnjë ndër mend mjekët dhe infermierët për t’ua lehtësuar sadopak barrën në përballjen me pandeminë. “Le të jete kjo një Pashkë paqësore”, tha kancelarja ku para se te mendoni për takimet kujtohuni për numrin në shtim të rasteve nëpër spitale.

Johnson and Johnson dorëzon vaksinat në Europë duke nisur nga 19 prilli

Kompania Johnson and Johnson konfirmoi dorëzimin e vaksinës së saj me një dozë të vetme në shtetet evropiane më 19 prill. Deri në fund të qershorit do të dorëzohen 55 milionë doza ndërkohë që për të gjithë vitin 2021 ka një marrëveshje për 200 milionë të tilla. Kjo përbën vaksinën e katërt të aprovuar nga Agjencia Evropiane e Barnave.

Treni del nga shinat në Tajvan, 36 viktima

Të paktën 36 njerëz kane humbur jetën dhe dhjetëra u plagosën rëndë, kur një tren doli nga shinat brenda një tuneli në Tajvan. Ekipet e shpëtimit po punojnë për të kërkuar të mbijetuar dhe trupa të tjerë në 4 vagonë të katandisur keq ​brenda tunelit, por nga dëmtimet e shumta dhe mungesa e hapësirës në të, bëhet e pamundur ndërhyrja.

SHBA-Kinë vijojnë bashkëpunimin, pavarësisht akuzave

Pavarësisht akuzave të njëpasnjëshme dhe luftës tërthore që po zhvillon Amerika ndaj Kinës, ajo duket se nuk sheh e nuk dëgjon asgjë, madje shtrin dorën për bashkëpunim në çdo rast. I tillë është edhe samiti që mbahet më 22 prill në lidhje me klimën. Kina do të vazhdojë të japë kontributin e saj konfirmoi zëdhënësi i ministrisë së Punëve të Jashtme në lidhje me këtë event.

Eurovizion do të zhvillohet me spektatorë

Festivali Evropian i Këngës do të zhvillohet me praninë e spektatorëve këtë vit. Qeveria holandeze u dha të drejtën organizatorëve të lejojnë praninë e 3500 personave në sallë si një lloj eksperimenti për evenimentet e tjera në vijim. Sipas planit, ambienti do të jetë gjysmë I mbushur dhe pjesëmarrësit do t’i nënshtrohen testit për koronavirus.