Komiteti i Ekspertëve: Nuk ka asnjë rast vdekjeje që lidhet me vaksinën anticovid në Shqipëri

VAKSINIMI I MESUESVE frame 2258 1100x620

Deri më sot nuk ka asnjë rast të fataliteteve që lidhen me vaksinën dhe procesin e vaksinimit ndaj COVID19. Është ky konkluzioni i Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Efekteve të Padëshiruara Pasvaksinore i përbërë nga farmakologë, imunologë, infeksionistë, alergologë, specialistë të shëndetit publik, i kryesuar nga prof. dr. Gjeorgjina Kuli/Lito, i cili shqyrton periodikisht efektet e vaksinave anticovid.

Sipas vendimit të Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Efekteve të Padëshiruara Pasvaksinore për 2 rastet e fatalitetit të pacientëve të cilëve u ishte aplikuar vaksina, nuk ka lidhje shkak-pasojë me aplikimin e vaksinës.

Komiteti Ekspertëve për Vlerësimin e Efekteve të Padëshiruara Pasvaksinore thekson se nuk ka asnjë të dhënë bindëse, apo argument shkencor, konfirmues që të vërtetojë apo demostrojë një lidhje shkakësore midis procesit të vaksinimit ndaj COVID19 dhe ngjarjeve fatale të raportuara.

Komiteti Ekspertëve për Vlerësimin e Efekteve të Padëshiruara Pasvaksinore do të vazhdojë të jetë në vëzhgim të gjithë raportimeve lidhur me ngjarje apo efekte të padëshiruara pas vaksinore në mënyrë që të sigurojë një proces sa më të sigurt dhe efikas.