Kryenin transaksione përmes mashtrimit kompjuterik, pranga 6 personave në Pogradec

krimi 1100x620

Gjashtë persona kanë rënë në prangat e Policisë së Pogradecit për krime kompjuterike, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Operacioni policor i koduar “Kameleonët” sekuestroi edhe aparate celularë, dokumente tërheqjesh monetare si edhe një sasi lënde narkotike e dyshuar si kokainë.

Sipas policisë të arrestuarit janë. K. L., 23 vjeç, D. D., 29 vjeç, G. R., 41 vjeç, E. M., 37 vjeç, të katërt banues në Pogradec, K. H., 27 vjeç dhe L. K., 39 vjeç, banues në Tiranë. 

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë ngritur një skeme të mashtrimit kompjuterik për përfitimin e shumave të ndryshme monetare nga të gjithë shtetasit shqiptarë ose jo, të cilët kanë qenë të interesuar për të ndihmuar të mitur me probleme shëndetësore.

Këta persona vendosnin në dispozicion të shtetasve të interesuar, llogari bankare apo të dhëna shtetasish të cilët do të ishin përfitues të donacioneve, duke i tërhequr ato në institucione të ndryshme financiare. Tërheqja bëhej nëpërmjet profileve të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, por dhe dhënies së të dhënave të rreme për dërgimin e donacioneve, me qëllim që të mos gjendeshin në rast se organet ligjzbatuese do të viheshin në dijeni të këtij aktiviteti kriminal.

Për një periudhë rreth 6-mujore, ata kanë arritur të marrin qindra transaksione financiare nga shtetas shqiptarë ose jo, të cilët janë me banim në territorin e Shqipërisë, por dhe jashtë saj.

Aktualisht policia po punon për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe evidentimin dhe vendosjen përpara drejtësisë edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.