Rama me fermerët e Moravës: Sfida jonë, 1 miliard dollarë eksporte bujqësore

rama 26 1100x620

1 miliard dollarë eksporte bujqësore është sfida e kryeministrit Edi Rama për vitet e ardhshme, të cilën e shprehu përgjatë takimit me fermerët e Moravës në qarkun e Beratit. Sipas tij, bujqësia në këtë qark është shndërruar nga ajo e mbijetesës në atë të sipërmarrjes. Rama theksoi se për të krijuar perspektivë në bujqësi, njerëzit duhet të organizohen në një nivel tjetër me grupe dhe rrjete, por jo të vetmuar.

“Berati është shndërruar nga bujqësia  e mbijetesës tek ajo e sipërmarrjes. Këta njerëz janë ata që provojnë me shembullin e tyre se jo vetëm është e mundur, por nëse ke vizionin e duhur dhe karakterin mund të dalësh dhe të ngjitesh në maja të paimagjinueshme. Sfida ime dhe jonë këtu është që eksportet bujqësore që ne në total dhe me mbështetjen që u kemi dhënë këtyre njerëzve është rritur nga 100 mln në 400 mln dollarë, të shkojë në mbi 1 miliard dollarë në vitet e ardhshme. Dhe unë kam bindjen që ne do t’ia dalim se nuk bëhet fjalë për njerëz punëtorë, por një kategori njerëzish që janë në Berat, Lushnje, Malësi e madhe që janë sot një bagazh dijeje dhe eksperience. Asnjëri nga këta nuk ka ditur gjëra që di sot, kur ka filluar. T’u vëmë në dispozicion çdo gjë që kemi në bujqësi që njerëzit të kuptojnë se ujq të vetmuar nuk duhet të ketë, duhen grupe, rrjete e organizime të një niveli tjetër. Nëse rri te ngastra jote mbijeton, po nuk krijon perspektivë për familjen tënde”.

Kreu i qeverisë iu është përgjigjur edhe atyre që e akuzojnë se nuk ka një program të mirëfilltë. Sipas Ramës, programi socialist është ai i durimit, punës dhe këmbënguljes në funksion të vizionit të Shqipërisë 2030.

“Po thonë shpesh se ne nuk paskemi program. Programi ynë është vizioni ynë karakteri puna, këmbëngulja dhe durimi ynë. Dhe me vizion, karakter, punë e durim do të vazhdojmë duke zbatuar planin tonë në funksion të vizionit të Shqipërisë 2030. Shqipëria është në kushtet sot ku pretendon të bëhet kampione e Ballkanit në turizëm, agro-turizëm dhe me këto hallka të zhvillimit Shqipëria do të ketë mundësi të zhvillimit”.