Rëndohet situata në Mjanmar, ish-kryeministrja rrezikon 14 vjet burg, bllokohet interneti

Situata në Mjanmar po tensionohet dita ditës. Prej 47 ditës, ish-kolonia britanike po përjeton sërish një grusht shteti ushtarak, që ka përmbysur qeverinë e kryeministres Aung San Suu Kyi.

Çmimin Nobel për Paqen i vitit 1991 ndodhet në këtë moment në arrest shtëpiak për 5 akuza të ngritura nga junta ushtarake, ku ajo e fundit, për vënien në rrezik të sekreteve shtetërore, mund t’i kushtojë asaj 14 burg, që do t’i shtoheshin 15 viteve që ajo ka kaluar në burg nga viti 1989 deri në 2010, si lidere e opozitës së atëhershme.  

Në nëntor të vitit të kaluar partia e saj fitoi bindshëm zgjedhjet, por opozita  e akuzoi për parregullsi të theksuara dhe ushtria, element gjithmonë dominant në vendin aziatik, përfitoi për të marrë sërish pushtetin.

Bashkë me Suu Kyi ndodhen në burg edhe disa diplomatë të huaj, si këshilltari ekonomik australian Sean Turnell, që akuzohet për vjedhje të sekreteve shtetërore.

Ndërkohë, në vend nuk pushojnë protestat e mbështetësve të saj, dhe ushtarakët kanë vendosur nga dita e sotme bllokimin e internetit në të gjithë vendin, ku të paktën 543 persona kanë humbur jetën gjatë javëve të fundit.

Këshilli i Sigurisë të OKB-së dënoi përdorimin e dhunës në Mjanmar, por nuk u angazhua për hapa të mëtejshme të mundshme, nga veto e Kinës, aleates më të madhe të Mjanmarit, ose të paktën të juntës ushtarake.