Vaksina kineze në Shqipëri, Alimehmeti: Për grupmoshën 18-59 vjeç kemi informacion

Ilir Alimehmeti, epidemiolog, anëtar i Akademisë së Shkencave, foli në Ditari në A2 mbi procesin e vaksinimit në Shqipëri.

A duhet ta bëjmë vaksinën kineze? Alimehmeti u shpreh se grupshosha nga 18-59 duhet ta bëjë këtë vaksinë, pasi ka informacione dhe janë kryer testimet.

“Dimë që është testuar faza e parë dhe e dytë klinike, ku ka treguar një efikasitet në moshën 18-59 vjeç. Më pas kemi studime të fazës së tretë, të cilat janë kryer në vende të ndryshme të botës për faktin që Kina nuk kishte raste. Është e natyrshme që testimet të kryhen në vende të tjera. Për grupmoshën 18-59 vjeç kemi informacion. Kjo grupmoshë ndoshta duhet ta bëjë vaksinën, në mungesë edhe të diçkaje më të mirë”, u shpreh Alimehmeti.

Po personat që e kanë kaluar koronavirusin, a duhet të vaksinohen?

“Kemi të paktën dy organe të rëndësishme shtetërore, si AIFA  e Italisë dhe instituti Robert Koch i Gjermanisë që rekomandojnë moskryerjen e vaksinës nëse jemi brenda 6 muajve nga kalimi i Covid-19, ndërsa më pas kryerja vetëm e një doze sepse mjafton për të dhënë rikujtesën ndaj virusit, ndërsa doza e dytë nuk është e nevojshme. Ky është rekomandimi nga këto dy institucione të rëndësishme”.