Vrasjet e 2 prillit 1991 në Shkodër, Basha: Emrat e 4 martirëve të asaj dite të zymtë kumbojnë fort në ndërgjegjen tonë

shkoder deshmoret 1100x620

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kujtuar 30-vjetorin e vrasjes së 4 të rinjve në qytetin e Shkodrës.

Përmes një postimi në Facebook, Basha shprehet se Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka u qëlluan në mënyrë flagrante nga një regjim që po jepte shpirt.

“Si sot 30 vjet më parë, më 2 prill 1991, regjimi gjakatar i Partisë së Punës vrau pa mëshirë dhe qëllimisht 4 djem të rinj, bij të Shkodrës dhe pishtarë të demokracisë. Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka u qëlluan nga falangat e regjimit që po jepte shpirt, sepse guxuan t’ia thonë në sy dhe publikisht diktaturës në panik se koha e saj kishte përfunduar dhe shqiptarët kishin zgjedhur lirinë dhe Europën. Ai lumë njerëzish të lirë që vërshoi në rrugët dhe sheshet e Shkodrës dëshmoi se edhe në momentet më të vështira dhe përballë tiranisë më të pashpirt, shqiptarët janë të gatshëm të përqafojnë lirinë me çdo çmim”, lexohet në postimin e Bashës.

“Heronjtë e 2 prillit janë heronjtë e gjithë Shqipërisë. Dëshira, guximi dhe përpjekja për ta bërë Shqipërinë një vend të lirë, ngritën themelet e ndërtimit të një shteti demokratik. Përpjekje nga e cila ne nuk kemi hequr dorë asnjëherë dhe për të cilën punojmë çdo ditë. Kjo ditë i jep një kuptim të veçantë dhe lëvizjes që ne kemi nisur sot. 30 vite më pas, 2 prilli, emrat e 4 martirëve të asaj dite të zymtë kumbojnë fort në ndërgjegjen tonë dhe na japin sigurinë se jemi në rrugën e drejtë dhe në rrugën e fitores mbi të keqen, të ndryshimit që po vjen për çdo shqiptar, në rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa. Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit”, shton Basha.