Basha: Ne do të përfundojmë procesin e legalizimit

Lideri i opozitës, Lulzim Basha, është takuar me banorë të ish-Uzinës së Autotraktorëve që kanë probleme me legalizimin dhe shtëpitë e prishura. Ata thonë se shteti nuk po u jep zgjidhje, ndërsa ka patur raste që u janë prishur shtëpitë edhe në proces legalizimi.

“Ne e nisëm procesin e legalizimit por nuk e mbyllën. Kam kërkuar falje për këtë dhe sot iu them që e konsideroj detyrë për ta çuar atë proces deri në fund”, tha Basha. “Pёr 8 vite me radhë megjithëse premtoi se dhe po të çoheshe Enver Hoxha prej varri nuk do i prekte shtëpitë e shqiptarëve, kjo qeveri dhe ky kryeministër kanë krejtësisht të kundërtën. Kështu ka ndodhur edhe me shumë familje që e kanë pësuar edhe në këtë zonë dhe unë dua në radhë të parë t’ju siguroj se i qëndroj 100% atij zotimi që kam marrë para 5 vjetësh. Ju siguroj që do të bëj gjithçka që këto para të mos paguhen nga taksat e shqiptarëve, por nga pasuritë e atyre që këto 8 vjet kanë zhvatur, kanë zhvatur buxhetin e shtetit, kanë zhvatur pasuritë e shqiptarëve.  Pushtetarët e korruptuar të parët nga i pari tek i fundit edhe ortakët e tyre”, tha Basha.