Besimtarët katolikë festojnë Pashkën, Frendo thirrje politikanëve: Zhvilloni një fushatë të pastër e dinjitoze

Në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë është mbajtur mesha me rastin e Ngjalljes së Krishtit, një ndër datat më të rëndësishme të kalendarit të katolikëve.

I gjendur në kushte pandemie, mesha që zakonisht kremtohet në mesnatë, u mbajt në orën 17:00 për të respektuar dhe masat e vendosura nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së virusit.

Besimtarët ishin të shumtë në ambientet e Katedrales, pjesa më e madhe e të cilëve mbanin maskë.

Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, imzot George Frendo nuk harroi të tërhiqte dhe vëmendjen e politikanëve për të zhvilluar një fushatë elektorale dinjitoze.

“U bëj thirrje kandidatëve të bëjnë një fushatë zgjedhore të pastër, dinjitoze, pa e ulur nivelin në fyerje, sharje, poshtërime, të karakterit personal apo familjar”, tha imzot Frendo.

Pashka është festa më e rëndësishme e besimit të krishterë, ku besimtarët përkujtojnë ngjalljen e Jezu Krishtit.