Vaksinimi në sheshin “Skënderbej”, paradite moshat mbi 70 vjeç, pasdite stafeta për gazetarët

Vaksinimi i moshave mbi 70 vjeç, ndërthuret me vaksinimin e gazetarëve dhe punonjësve të medias, në terren. Përcaktimi i kategorive të riskut përballë pandemisë Covid-19, ka bërë që procesi të vijojë në disa drejtime.

Ndërsa pasditen e të premtes që kaloi, nisi vaksinimi i punonjësve të medias, paralelisht zhvillohet edhe procesi për të moshuarit. Paradite janë personat mbi 70 vjeç ata që marrin vaksinën në Sheshin Skënderbej, për t’u lënë stafetën pasdite gazetarëve.

Procesi do të vazhdojë i tillë. Paraditja do t’i kushtohet gjithmonë vaksinimit të kategorive të riskut, bazuar në moshën që kanë, ndërsa çdo ditë pas orës 15:00 do të jetë koha e punonjësve të medias, gazetarë dhe operatorë terreni, një tjetër kategori e rrezikuar nga koronavirusi, për shkak të ekspozimit nga profesioni që kryejnë.