Amazon dorëzohet, pranon se punonjësit detyrohen të urinojnë në shishe plastike

Amazon 1100x620

Amazon ka pranuar faktin se ndonjëherë punonjësit e kompanisë janë të detyruar të urinojnë në shishe plastike për shkak të vështirësive në punë.

Pasi hodhi poshtë pretendimet për javë të tëra, kompania më në fund pranoi përgjegjësinë e saj, duke theksuar se mohimi ishte “një autogol”.

“Ne e dimë që nganjëherë shoferët tanë mund të kenë probleme në gjetjen e tualetit për shkak të trafikut ose nganjëherë sepse janë në zona rurale, dhe kjo veçanërisht në periudhën e pandemisë kur shumë tualete publike u mbyllën”, deklaroi kompania.

Akuzat e para ndaj Amazon nisën fillimisht nga kongresmeni Mark Pocan, i cili denoncoi në Twitter këtë fakt duke shkruar: “Të paguani punëtorët 15 dollarë në orë nuk ju bën një vend pune progresiv, kur ju bllokoni sindikatat dhe i bëni punëtorët që të urinojnë në shishe uji”.

Asokohe, Amazon mohoi akuzat dhe shkroi se nëse kjo do të ishte e vërtetë, askush nuk do të punonte me ta. Megjithatë pesë shoferë që punojnë aktualisht ose kanë punuar më herët për kompaninë thanë se urinimi në shishe ishte pjesë normale e punës së tyre.