Vonesa “për Presidentin”, kriza politike dëmton rëndë edhe ekonominë e Kosovës

Nëse parlamenti dështon që deri më 5 maj në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, atëherë vendi detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme dhe kjo ekspertët, do të ishte e rrezikshme dhe një shkatërrim ekonomik për Kosovën, që ashtu si pjesa tjetër e botës, përballet me pandeminë koronavirus. 

 “Në këtë aspekt mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve, shikuar edhe në aspektin historik, në vendin tonë gjithmonë ka ndikuar edhe në normën e përgjithshme të rritjes ekonomike, edhe tek tërheqja e investimeve të huaja direkte, por edhe tek të hyrat e mbledhura për buxhetin e vendit. Në një situatë hipotetike kur ne do të kishim zgjedhje më të shpeshta brenda një intervali të shkurtër kohor, besoj që ndikimi në ekonomi do të ishte shkatërrues, aq më tepër nëse kombinohet sërish me ndikimin që ka pandemia COVID-19, e që ka pasur gjatë vitit 2020”, u shpreh Arian Zeka, drejtor i “Odës Ekonomike Amerikane”.

 Sipas ekspertit të ekonomisë, ndërrimi i shpeshtë i qeverive ndikon negativisht në tërheqjen e investitorëve të huaj si dhe në realizimin e investimeve strategjike. Lekë Musa, ekspert i ekonomisë shprehet se:

“Për shkak të ndërrimit dhe të një jostabiliteti të vazhdueshëm politik dhe ndërrimit të shpeshta të qeverive, nuk kanë arritur asnjëra prej tyre që të realizojnë ndonjë projekt të madh strategjik nëpërmjet këtij legjislacioni apo edhe vet implementimit të programeve ekonomike. Kështu që edhe në aspektin e tërheqjes së investitorëve të huaj, ata në rend të parë e shohin një vend shumë jostabilnë aspektin politik dhe ndërrimet e shpeshta të qeverive japin për të besuar se ky vend nuk është serioz dhe nuk mund të ketë një konsistencë të implementimit dhe realizimit të ideve të ndryshme ekonomike.” Në vjeshtë, Kosova mban edhe zgjedhjet lokale të rradhës.