Zgjidhet Osmani, urimet e politikës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare

vjosa nderkombetare 1100x620

Nuk kanë munguar urimet e politikës shqiptare por edhe të partnerëve ndërkombëtarë pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës.

I pari që e ka përgëzuar presidenten ka qenë vetë kryeministri kosovar Albin Kurti, që nënvizoi se “tani është kompletuar krijimi i institucioneve të Kosovës dhe se vendi ka hyrë në një zonë të re të qëndrueshmërisë dhe prosperitetit për popullin e Kosovës”.

Urime nuk kanë munguar edhe nga Tirana zyrtare. Kreu i Shtetit Ilir Meta përmes një postimi në rrjetet sociale, u shpreh i bindur se “Osmani, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, do t’i shërbejë me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë unitetit mes të gjithë qytetarëve, frymës së konsensusit, dialogut, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe marrëdhënieve të shkëlqyera vëllazërore mes dy vendeve tona”.

Mesazh përgëzues ka ardhur edhe nga lideri i opozitës Lulzim Basha, që shtoi se uron që presidentja e re do të “mundësojë unifikimin e faktorit politik të Kosovës për të adresuar drejt sfidat që vendi ka përpara, garantimin e sovranitetit dhe integritetit territorial, anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë dhe progresin drejt integrimit euroatlantik”.

Ndërkohë, reagime në nivel të lartë ka patur edhe në Bruksel, ku i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka uruar Osmanin duke nënvizuar se “mezi pret” të punojnë së bashku.

Në të njëjtin ton diplomatik edhe Komisioni Europian, që evidentoi faktin që tashmë vendi duhet të përqendrohet tek reformat dhe të angazhohet në dialogun me Serbinë, përmes mediacionit të Bashkimit Europian.