A realizon qëllimin kjo fletë votimi? Ristani: Nuk i jep mundësinë zgjedhësit të zgjedhë kandidatin që do

Për ish-kreun e KQZ-së Arben Ristani fleta e votimit me numra dhe jo me emra nuk e realizon qëllimin që ka pasur legjislatori kur ka krijuar ligjin, pasi sipas tij nuk i jep mundësinë zgjedhësit të zgjedhë kandidatin që do.

“A e ndjek kjo fletë votimi qëllimin që ka ligji? Debati gjatë gjithë periudhës që u miratua kodi i ri zgjedhor dhe ajo që politika i ka përcjellë votuesve ka qenë ajo që ne do kufizojmë pushtetet, ne do hapim listat, që të kuptosh që legjislatori ka patur qëllimin që votuesi të zgjedhë kandidatin që do. Kjo fletë votimi nuk e realizon qëllimin që ka pasur legjislatori kur ka krijuar ligjin, nuk i jep mundësinë zgjedhësit ashtu siç duhet do ishte më e thjeshtë që zgjedhësi të zgjidhte emrin e kandidatit që pëlqen. Debatet për fletën e madhe janë teknikalitete që përdoren për të pamundësuar zgjedhësin të zgjedhë kandidatin që do. Ka mënyra të tjera që nuk lidhen as nga madhësia e fletës. Varet nga qëllimi që ke. Nëse ke qëllim t’i japësh zgjedhësit të zgjedhë kandidatin që do ti e administron t’i japësh zgjedhësit këtë mundësi.”

Ristani thekson se kjo bëhet për të kamufluar listën dhe votuesi mund të mos ketë më kandidat preferencial.

“Për mua kjo bëhet që të kamuflohet qëllimi që ka ligji në vetvete. Lista e hapur në vetvete do kishte një përqindje më të vogël se 10%. Me këtë mënyrë nuk ka për të pasur asnjë kandidat preferencial që do thyejë listën me këtë mënyrë që është organizuar. Përdorimi i numrave është më i thjeshtë e administrueshëm po për qëllimin që ka pasur ligji është të fshehë faktin që nuk ka më lista të hapura dhe votuesi nuk ka mundësi të ketë më kandidat preferencial”.