Dritëhijet e procesit zgjedhor!

Luzi: Fleta e votimit me numra është më e lehtë për zgjedhësit

Ish-kryetarja e KQZ-së Lefterije Luzi deklaron se fleta e votimit me numra është më e lehtë për zgjedhësit. E ftuar në Absolut 4, ajo thekson se kjo është më e lehtë si për zgjedhësin ashtu dhe për procesin e administrimit. Sipas Luzit fleta me emra kishte vështirësi të mblidhej dhe të lexohej. (për më shumë)

Fleta e votimit, Skënderi: Isha partizan i një flete votimi klasike

Ish-anëtari i KQZ-së Bledar Skënderi deklaroi se është partizan i një flete votimi klasike me tabelë unike që përdoren në shumicën e vendeve që aplikojnë këtë fletë votimi. Në studion e Absolut 4 ai tha se u zgjodh fleta me numra pasi është më e thjeshtë se ajo me emra.

“Unë isha partizan i një fletë votimi klasike me tabelë unike që përdoren në shumicën e vendeve që aplikojnë këtë fletë votimi. U zgjodh një model i ndërmjetëm mendoj që kjo është diçka më e thjeshtë se ajo me emra, për shkak se ajo fletë se gjithë debati bëhet për Tiranën që ka 36 kandidatë dhe ka 12 subjekte zgjedhore dhe një kandidat të pavarur dhe do kishim një fletë votimi me 432 emra dhe do ishte e vështirë për zgjedhësin. Plus që ne i bëjmë gjërat pak gabim dhe kur hidhet shorti miratohet edhe mënyra si renditen partitë. Kjo mënyrë i çorienton zgjedhësit. Mënyrë e gabuar. Zgjedhësin e bëjmë më konfuz”. (për më shumë)

A realizon qëllimin kjo fletë votimi? Ristani: Nuk i jep mundësinë zgjedhësit të zgjedhë kandidatin që do

Për ish-kreun e KQZ-së Arben Ristani fleta e votimit me numra dhe jo me emra nuk e realizon qëllimin që ka pasur legjislatori kur ka krijuar ligjin, pasi sipas tij nuk i jep mundësinë zgjedhësit të zgjedhë kandidatin që do.

“A e ndjek kjo fletë votimi qëllimin që ka ligji? Debati gjatë gjithë periudhës që u miratua kodi i ri zgjedhor dhe ajo që politika i ka përcjellë votuesve ka qenë ajo që ne do kufizojmë pushtetet, ne do hapim listat, që të kuptosh që legjislatori ka patur qëllimin që votuesi të zgjedhë kandidatin që do. Kjo fletë votimi nuk e realizon qëllimin që ka pasur legjislatori kur ka krijuar ligjin, nuk i jep mundësinë zgjedhësit ashtu siç duhet do ishte më e thjeshtë që zgjedhësi të zgjidhte emrin e kandidatit që pëlqen. Debatet për fletën e madhe janë teknikalitete që përdoren për të pamundësuar zgjedhësin të zgjedhë kandidatin që do. Ka mënyra të tjera që nuk lidhen as nga madhësia e fletës. Varet nga qëllimi që ke. Nëse ke qëllim t’i japësh zgjedhësit të zgjedhë kandidatin që do ti e administron t’i japësh zgjedhësit këtë mundësi”. (për më shumë)

Skënderi: Qytetarët e kanë të fiksuar numrin e kandidatit që duan të votojnë

Bledar Skënderi, ish-anëtar i KQZ-së, deklaroi në studion e “Absolut 4” se “identifikimi elektronik është i kushtueshëm, por duhet që të shuajë zërat për parregullsi”.

Ndërsa, shtoi se “për votimin elektronik jam pak skeptik, pasi administratori i gjithë rrjetit mund të bëjë ndërhyrje. Në shumë vende, numri i atyre që votojnë me elektronikë vjen duke u ulur”. Kur u pyet për votën e emigrantëve, Skënderi theksoi: “Vota e emigrantëve dështoi sepse nuk kishte konsensus për të mes partive të mëdha”.

Sa i përket fletës së votimit, Skënderi u shpreh: “Fleta e votimit me numra dhe jo me emra nuk është problem për qytetarin, pasi votuesi e fikson numrin e atij që kërkon të votojë dhe nuk pret që ta gjejë në momentin që hedh votën”. (për më shumë)

Ristani: Fushata duhej të përqendrohej te programi i partive

Arben Ristani, ish-kryetar i KQZ-së, deklaroi në studion e “Absolut 4” se fushata e partive politike duhet të përqendrohej te programi.

“Fushata duhej të përqendrohej te programi. Do e kërkosh votën duke i thënë votuesit se je më i mirë se tjetri, duke i paraqitur se çfarë ke në program. Duhet mbyllur koha e votimit mbi baza tifozerie. Partia të ndikon jetën dhe materialisht, ndryshe nga skuadra që të ndikon thjesht emocionalisht. Vota duhet bërë në bazë interesi për jetën tënde. Nuk mund të vazhdojë që “babai ishte ballist dhe unë jam demokrat; babai ishte komunist dhe unë jam socialist”. Duhet parë kush realizon atë që premton”, u shpreh Ristani. (për më shumë)

Luzi: Në vend që të moderohet, fushata vjen me më shumë egërsi te publiku

Ish-kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi, shprehu shqetësim për faktin se fushata elektorale egërsohet gjithmonë e më shumë me kalimin e viteve.

“Presim që fushata të moderohet nga zgjedhjet në zgjedhje, por po ndodh e kundërta. Palët, gjithmonë shkojnë te publiku me më shumë egërsi. Duke pasur edhe kandidatë preferencialë, kemi dy fushata: të subjektit dhe kandidatit. Kandidati shkon më pranë zgjedhësit dhe shpresojmë që kjo gjë ta bëjë më llogaridhënës”, deklaroi Luzi. (për më shumë)

Si shihet procesi zgjedhor nga Prishtina? Profesori: Listat me numra do të jenë një xhungël, do të vuani

Po si shihet nga Kosova procesi zgjedhor në Shqipëri, tashmë që në Prishtinë ai ka përfunduar? Zgjedhjet aty u cilësuan si model nga shumë analistë, por kjo nuk do të thotë që mekanizmi zgjedhor kosovar të jetë i pakritikueshëm, dhe këtë e di më së miri profesor Fadil Maloku, sociolog dhe pedagog në universitetin e Prishtinës, por edhe anëtar për shumë vite të Komisionit Zgjedhor.

Sipas tij, modaliteti me numra i fletës zgjedhore do të ketë kosto në rrjedhshmërinë e procesit. “Kjo që keni bërë me këto numrat janë një jungle, siç i thonë amerikanët,  një xhungël, dhe do ta vuani shumë. Shoh edhe djallëzi tek politikanët dhe mund të jete bërë me qëllim, për të krijuar pavlefshmëri të shumta”, thotë Maloku. (për më shumë)