Krimi, më i shpejtë se Njësia Speciale “Fast” e Policisë

Në shtator të vitit 2019, njësia “Fast” e prezantuar nga ministri I Brendshëm në atë kohë, Sandër Lleshaj, do të merrej ekskluzivisht me kapjen e personave të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Krijimi i kësaj njësie, në përbërje të së cilës janë 50 efektivë, pritej që të ulte numrin e personave në kërkim, por një muaj pasi ajo u krijua njëri prej shumë të kërkuarve në Shqipëri lëvizte lirshëm në Tiranë.

Domart Konjari i dyshuar si porositësi i vrasjes së Devi Kasmit dhe me llogari të hapura në drejtësinë franceze, lëvizte nën hundët e Policisë së Shtetit. Madje lëvizjet e tij e tij, në vend që të ishin pjesë e punës së njësisë, u mësuan më parë nga kundërshtarët e tij, të cilët kishin bërë planin për eliminimin me shpërthim të telekomanduar.

Atentatorët kishin dijeni për lëvizjet në Tiranë, automjetin që përdorte madje dhe një foto të Konjarit. E njëjta histori dhe me një prej personave të tjerë të shumëkërkuar për grabitjen e Rinasit dhe një sërë ngjarjesh të rënda kriminale. Talo Çela ende nuk është arrestuar nga policia shqiptare madje ai gjeti kohë nga arratia dhe të fliste për mediat.

Në total, 37 persona janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe që vijojnë arratinë. Ndonëse për kapjen e kësaj kategorie u ngrit një strukturë e dedikuar, por dhe u vunë në dispozicion shuma parash për ata që jepnin informacion, sërish në Shqipëri më parë të gjen hasmi sesa policia.