Kush ishte “Kumbari” i Shkodrës? Vrasja e tij tronditi qytetin verior

Shkodra është tronditur mbrëmjen e djeshme nga një atentat me armë, ku ka mbetur i vrarë 47-vjeçari Bardhok Pllanaj, i njohur ndryshe edhe si “Kumbari” i Shkodrës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:10 minuta në fshatin Dobraç. Mësohet se ndaj 47-vjeçarit është qëlluar me breshëri automatiku. Nga të dhënat paraprake dyshohet se autorët e kanë ndjekur viktimën e tyre për disa qindra metra derisa kanë gjetur momentin e përshtatshëm për ta qëlluar për vdekje.

Jo shumë larg vendit të ngjarjes, policia ka gjetur një autoveturë të djegur me targa italiane, e cila mendohet se është mjeti me të cilin janë larguar autorët e kësaj vrasje.

Brenda mjetit të djegur është gjetur edhe një armë automatike tip kallashnikov, që dyshohet që është përdorur nga autorët, por provat për të vërtetuar këtë thuajse janë zhdukur në mjetin e djegur. Menjëherë pas ngjarjes, policia ka ngritur pika kontrolli në qytetin e Shkodrës, ndërsa në ndihmë të policisë lokale kanë shkuar edhe efektivë të FNSH-së.

Në vendngjarje, polica ka gjetur edhe gëzhoja të plumbave që kanë qëlluar 47-vjeçarin Pllanaj. Për momentin nuk ka asnjë person të dyshuar për këtë atentat të mirëorganizuar, ndërsa policia dyshon se e kaluara e viktimës mund të jetë edhe si motiv i kësaj ngjarje.