Vrasja e “Kumbarit”, përplasja mes grupeve kriminale dhe ekzekutimet që nga viti 2018

Publikuar më: 5/4/2021, ora 21:09

Vrasja e “Kumbarit”, përplasja mes grupeve kriminale dhe ekzekutimet që nga viti 2018

Publikuar më: 5/4/2021, ora 21:09

Në më pak se dy vite, në Shkodër janë vrarë në mënyrë misterioze 13 persona, ndërsa janë zhdukur dy të tjerë. Ekzekutimi i fundit, ai i Bardhok Pllanajt, ndërsa brutaliteti i vrasjes së “Kumbarit”, siç njihej në Shkodër, tregon se lufta mes grupeve kriminale ka marrë qytetin, ndërsa policia nuk ka zbardhur asnjë ngjarje të rëndë. 

Në vitin 2017, ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, përmendi numrin e grupeve kriminale në Shkodër. Pas goditjes së një baze prostitucioni, Xhafaj shkruajti në rrjetet sociale se në qytetin e Shkodrës operonin të paktën dhe 2 grupe të tjera kriminale, por që nga ajo kohë nuk u goditën kurrë.

Ndonëse policia nisi arrestimet në vitin 2017, ngjarjet e raportuara në media flasin për konfliktin mes fiseve Bajri dhe Lici. Hetuesit dyshojnë se ekzekutimi i Bardhok Pllanajt, në Dobraç të Shkodrës, territor i kontrolluar nga fisi Bajri, tregon se kemi të bëjmë me luftën mes grupeve kriminale, e cila mund të ketë lidhje me serinë e ekzekutimeve që nisën që në vitin 2018.

Konflikti mes dy fiseve “Bajri” dhe “Lici” në Shkodër ka sjellë të paktën 8 viktima, por përgjatë 2 viteve ka pasur dhe të tjerë persona të ekzekutuar, por që nuk u provuan asnjëherë se kishin lidhje me njëra-tjetrën.

Gjithçka dyshohet se nisi që prej atentatit ndaj biznesmenit Lulzim Kulla, në janar të vitit 2018. Shpërthimi i telekomanduar la tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe vetë Kulla. Pas plagosjes së Lulzim Kullës, i cili është dhe dhëndri i familjes Lici, një seri ngjarjesh ndodhi brenda vitit në Shkodër. Që nga ekzekutimi mafioz i efektivit Boran Bërcana dhe dyshimeve se ai kishte lidhje me fisin Bajri, e deri në vitin 2019, kur u ekzekutuan vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali, babai dhe xhaxhai i Asmer Bilalit, i dyshuar si pjesë e grupit Bajri.

Edhe pse policia dhe prokuroria asnjëherë nuk kanë mundur të gjejnë lidhjet mes ekzekutimeve mafioze, që nga Twitter-i i Xhafajt në 2017 e deri më sot, pas 4 viteve, Shkodra vijon të jetojë me praninë e dy grupeve kriminale.