Basha: Kush është i varfër nuk mendon për demokracinë. Kthejmë shtresën e mesme me rroga deri në 2000 euro, që është rrezik për çdo diktaturë

WhatsApp Image 2021 04 06 at 09.40.50 1100x620

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha gjatë nj bisede me të rinj të Vaut të Dejës, se me ardhjen e PD në pushtet, do të tërhiqen më shumë investime të huaja. Basha u tha të rinjve se me investimet dhe përkrahjen që do t’u japë Partia Demokratike, do të mundësojë që përfitojnë vende pune me rroga shumë të mira për standardet e Shqipërisë. “Nëse bëhet fjalë për rroga që fillojnë nga 800 euro, e deri në 2000 euro, kuptohet që me këto kemi filluar ndërtimin e një shtrese të mesme, e cila fillon të jetë e pavarur financiarisht. Dhe pavarësia financiare është themeli i mendjes së pavarur, i stabilitetit të shoqërisë, i demokracisë”, tha Basha.

“Është e kundërta nga ajo që ka ndodhur këto 8 vite. Taksat janë rritur jo thjesht për t’iu marrë lekët shqiptarëve, por për t’i varfëruar. Sepse kur je i varfër nuk e ngre dot kokën, kur je i uritur nuk mendon dot për demokracinë, për të drejtat. Është instrument tinëzar, njësoj si ai që përdorte diktatura. Prandaj ia ka vendosur taksën progresive shtresës së mesme, sepse janë atë që kanë të parët mendimin kritik dhe janë rrezik për çdo diktaturë. Sipërmarrja, duke qenë e pavarur financiarisht nuk ia ka frikën shtetit dhe ky shtet i Ramës është i ndërtuar mbi frikën”.