Fshati Panarit pas dimrit, pas tre muajsh banorët dalin nga izolimi mes dëborës

Pas 3 muajve izolim total nga dëbora është hapur më në fund rruga që lidh fshatin Panarit me qytetin e Korçës.

40 familje me rreth 200 banorë prej tre muajsh nuk patën asnjë komunikim me njësinë adninistrative apo qytetin, kjo për shkak të dëborës në rrugë që kalonte mbi 2 metra.

Pas rihapjes së rrugës, banorët shprehen se ishte një dimër i vështirë dhe se iu kishin mbaruar edhe rezervat ushqimore.

Nuk është viti i parë që ata izolohen, por sipas tyre tani që rruga është asfaltuar është e lehte për t’u hapur herë pas here që të mos bllokohet totalisht. Ata nuk kërkojnë asgjë nga autoritete lokale, veçse që ky bllokim të mos përsëritet më.

Fshati Panarit është një realitet i hidhur i cili tregon paaftësinë e pushtetit lokal për situata të tilla dhe natyrisht mungesën e mjeteve për të mundësuar hapjen e rrugës nga dëbora.