Heqja e pasaportave diplomatike për Kombëtaren, Meta reagon: Hakmarrje primitive, vendimi do përmbyset

Ilir Meta pse 1100x620

Hakmarrje primitive dhe një vendim i pabesë. Kështu e konsideron Presidenti Ilir Meta ndërprerjen e vlefshmërisë së pasaportave për Kombëtaren tonë të futbollit.

Sipas Kreut të Shtetit, kjo vjen për shkak të qëndrimeve kritike të disa futbollistëve për sportin ndërsa thekson se ky vendim i qeverisë do përmbyset pas 25 prillit.

“Vendimi i pabesë për ndërprerjen e vlefshmërisë së pasaportave për Kombëtaren tonë të futbollit është i paprecedent dhe një hakmarrje primitive, për shkak të qëndrimeve kritike të disa futbollistëve për sportin.

Është absurde të pengohen të mbajnë pasaportë, kuqezinjtë, që e futën Shqipërinë në Europë dhe na bënë të gjithëve krenarë, ndërkohë që vazhdojnë ta mbajnë atë faqezinjtë, që na lanë jashtë Europës dhe që po na turpërojnë.

Jam i bindur se më 25 prill 2021, do të përfundojë koha e vendimeve autoritare, arrogante dhe përjashtuese.

Ky vendim i Qeverisë ende në detyrë do të përmbyset dhe nderimi për kuqezinjtë, që na çuan në Europë do të mbetet i pacenuar.”, shkruan Meta.