Kostot për një fëmijë autik, vështirësitë rriten kur prindërit janë të divorcuar

Floresha Bregasi është nëna e dy fëmijëve, një prej të cilëve me spektrin autik. Prej 15 vitesh, ajo po e rrit me vështirësi djalin e saj. E divorcuar nga bashkëshorti për shkak të autizmit të fëmijës, Floresha kujdeset paradite për të birin, ndërsa pasdite punon në një kompani “call center”. Vështirësitë ekonomike i ndjen së tepërmi.

Së bashku me të birin, Floresha merr vetëm 20 mijë lekë ndihmë sociale. Për të është e pamjaftueshme pasi nuk mbulon dot as terapitë e javës.

Fëmijët me autizëm nuk kanë përfitime të tjera nga shteti e as një qendër publike ku mund të trajnohen. Me kalimin e viteve, Floresha ndjen frikën se kujt do t’ia besojë kujdestarinë e djalit.

Në Tiranë janë mbi 2300 persona me autizëm, ndërsa në gjithë Shqipërinë numri është rreth 5 mijë. Një numër jashtëzakonisht të lart zënë edhe personat autik të padeklaruar pasi nuk ka një regjistër kombëtar nga autoritetet shëndetësore.