Masakra e Rezallës, presidentja Osmani kërkon drejtësi për krimet e Serbisë

rezalla masakra osmani kurti konjufca  1100x620

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkon drejtësi për Masakrën në Rezallë. Në përkujtimin e 22 vjetorit të vrasjes makabre të 89 shqiptarëve nga ushtria serbe, kryetarja e shtetit tha se kjo ngjarje është dhimbje e vazhdueshme, kujtesë historikë e sakrificës për lirinë e Kosovës.

“Ne nuk do të ndalemi së kërkuari vendosjen e drejtësisë për njerëzit tanë sepse ata u privuan nga jeta, vetëm pse ishin shqiptarë. Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur përgjegjësit dhe ekzekutuesit të vihen para drejtësisë!”, tha Osmani.

Viktimat e kësaj masakre u përkujtuan edhe nga kryeministri, Albin Kurti. Në një status në Facebook, shefi i qeverisë, tha se kishte marrë konfirmimin që eshtrat e gjetura gjatë vitit të kaluar nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë iu përkasin viktimave të Luftës në Kosovë.

“Ne mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë punën tonë duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve të tyre dhe të punojmë për vendosjen e drejtësisë”, u shpreh Kurti.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, udhëtoi për në Rezallë për të bërë homazhe.