Osmani presidente, Haradinaj: U rikthye komunizmi, pati kontrabandë votash

Haradinaj kosova komunizem presidentja osmani  1100x620

Për kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, vendi ka hyrë në një sistem monist. Ramush Haradinaj pati kritika të ashpra për qeverinë, por edhe për deputetët që votuan Vjosa Osmanin për postin e presidentes. Sipas tij, veprimet e fundit janë tregues që Kosovën nuk e presin ditë të mira.

“E gjithë kjo është një tregues që për Kosovën nuk priten ato ditë të mira që i kanë premtuar, sepse kemi të bëjmë me një mashtrim dhe me një sistem që është i një partie. President, kryeministër, kryeparlamentar, kryetar partie është një njeri, është Albin Kurti, në një mënyrë ne po kthehemi në monizëm”, u shpreh Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

Mendimin për presidenten Osmani, ende nuk e ka ndryshuar. Haradinaj e quan atë presidente të Kurtit, ndërsa lëshoi akuza për pazare politike.

“U vërtetua që fituesit e rinj të zgjedhjeve kanë mungesë guximi që të veprojnë si e parasheh demokracia. Po ashtu, u treguan të zot dhe treguan se kanë prirje për kontrabandim të votës. Ajo që ka ndodhur nuk është në nderin e Kosovës dhe demokracisë tonë. Pra, u zgjodh presidentja me kontrabandim të votash, me deputetë që për përfitime të aty për atyshme tjetërsuan vullnetin e votuesve të tyre”.

Ndërkohë, pjesë e deputetëve të opozitës që mbështetën Vjosa Osmanin me votë ishte dhe nënkryetarja e AAK-së, Albena Reshitaj. Haradinaj nuk bëri të ditur nëse ndaj saj do të merret një vendim.