Tërheqja e të huajve, vijnë për Shqipërinë, punojnë nga shtëpia

Në Shqipëri jetojnë dhe punojnë në mënyrë të rregullt afërsisht 13,500 shtetas të huaj. Një pjesë e atyre që vijnë për herë të parë kanë mundësi të mësojnë dhe të ambientohen përmes miqve dhe të afërmve, por për një pjesë të madhe të kesh një udhërrëfyes është domosdoshmëri.

Këtë rol e bën tashmë prej 7 vitesh Denisa Kaca Bradley, një shqiptaro-kanadeze e rikthyer në vend në vitin 2013, një vit përpara se të ndërmerrte iniciativën për të hapur grupin “Expats in Albania”, apo mërgimtarë në Shqipëri, për të asistuar këdo që ka një pyetje.

Të huajt që zgjedhin Shqipërinë për të jetuar dhe punuar, sipas Denisën, janë shtuar vazhdimisht, edhe përgjatë pandemisë. Shumica që ajo ka kontaktuar vijnë nga Amerika e Veriut dhe Europa, për t’iu bashkuar kompanive të ndryshme apo organizatave jofitimprurëse. Por ka edhe nga ata, pjesë e një trendi të ri botëror, të quajtur nomadë.

Marrja e një leje qëndrimi për të jetuar në Shqipëri, sipas Denisës është një procedurë e thjeshtë që kryhet zakonisht nga punëdhënësit. Por ka dhe nga ata që shfrytëzojnë alternativat e tjera që ofron ligji.

Pavarësisht imazhit ende të dobët që ka vendi në shumë pjesë të botës, Denisa tregon se pas eksperiencës në Shqipëri, të gjithë të huajt përjetojnë një surprizë pozitive.