“Asfalti elektoral, krim zgjedhor, Albana Vokshi padit në SPAK Ramën, Veliajn, Manastirliun dhe Ulsi Manjën

vokshi akuza asfalti elektoral 1100x620

Kandidatja demokrate për deputete Albana Vokshi ka paditur në SPAK kryeministrin Rama, kryebashkiakun Erion Veliaj, ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe deputetin social Ulsi Manja për atë që e ka cilësuar si asfalt elektoral.

Sipas Vokshit, në disa rrugë të njësisë 9, është hedhur asfalt elektoral, duke mbyllur kanalizimet dhe duke rrezikuar përmbytjen e shtëpive dhe të rrugëve. Ajo thekson se Kodi Zgjedhor i ndalon punime të tilla gjatë fushatës dhe për këtë arsye, ato kryhen pa tabela dhe natën.

“Ky është një krim elektoral. Pas 8 vjetësh qeverisje të dështuar të Edi Ramës, qytetarët e kanë kuptuar se ky asfalt elektoral nuk u përmirëson jetesën, por siç thanë edhe banorët, ka sjellë më shumë probleme nga bllokimi i kanalizimeve. Ftoj SPAK të hetojë pa vonesë këtë shkelje të ligjit, që dënohet nga 1-5 vjet burg”, tha Albana Vokshi, e cila shpresën më të madhe e ka te qytetarët.

“Ftoj qytetarët që më 25 prill të dalin e të votojnë për ndryshimin, në mënyrë që çdo abuzues, duke nisur nga Edi Rama, Ogerta Manastirliu, Erion Veliaj dhe kushdo të shkojnë para drejtësisë”, u shpreh Albana Vokshi.