Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

BRIKEN CALJA DY MEDALJE frame 294 1100x620

Ulja e të infektuarve, Mynihu lehtëson masat

Gjermania vazhdon të jetë nën masa të rrepta shtrënguese kundër përhapjes së koronavirusit në vend, mirëpo meqë landet janë autonome në vendosjen e masave, Mynihu ka ndërmend të lehtësojë shumëçka duke nisur nga sot. Pas raportimit të Institutit Mjekësor vendas për rënien e infektimit për 100 mijë banorë në 94,5, autoritetet e gjejnë të nevojshme që të krijojnë lehtësira për qytetarët e tyre. Ora policore nuk do të zbatohet më, si dhe dyqanet, muzetë dhe kopshti zoologjik do të lejohen të rihapen thuhet në udhëzimin e autoriteteve shëndetësore.

Bleu sistemin raketor rus, zyrtarët turq sanksionohen nga SHBA

Blerja e sistemit raketor rus S-400, i ka kushtuar shumë Turqisë në marrëdhënien me SHBA-në. Sikurse raportojnë mediat, bazuar në një draft-projekt që prezantohet sot i plotë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, administrata e Biden ka vendosur vënien e sanksioneve ndaj Industrisë Turke të Mbrojtjes (SSB) dhe katër drejtuesve të lartë të saj. Që në momentin e njoftimit fillestar për këtë blerje, administrata e mëparshme amerikane nuk u shpreh entuziaste në lidhje me veprimin e Turqisë. Mbetet për t’u parë reagimi i presidentit Erdogan.

Muri ndarës me Meksikën, Biden ndryshon mendje

Pasi e kundërshtuan me të madhe ndërtimin e murit me Meksikën nga Donald Trump, demokratët mesa duket kanë filluar ta rimendojnë qëndrimin e tyre. Duke marrë në konsideratë faktin se janë të shumtë personat që hyjnë në SHBA në formë klandestine, presidenti Biden gjithashtu po mendon të rinisë punën për ndërtimin e tij pavarësisht se një ndër urdhrat e parë ekzekutivë të tij me të ardhur në pushtet ishte pezullimi i punës për të. Lajmin e konfirmon “Washington Times” që citon Sekretarin e Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas të thotë se puna do të fillojë shumë shpejt.

Pelegrinazhi në Mekë, këtë vit do të lejohen vetëm të vaksinuarit

Vaksinimi bëhet kusht edhe për pelegrinazhin e myslimanëve në Mekë që nis në mes të prillit. Vetëm kush e ka marrë vaksinën mund të shkojë atje. Ministria e Haxhit bën me dije se njerëzit që kanë marrë dy doza të nevojshme të vaksinës dhe për ata që kanë marrë një dozë të vetme për të paktën katërmbëdhjetë ditë do të jenë personat e vetëm që do u jepet mundësia ta bëjnë këtë ritual. I ndaluar vjet në mars si pasojë e pandemisë, pelegrinazhi filloi me masa të rrepta në muajin tetor për shumë pak persona dhe me rastin e festës. Të shumtë janë ata që duan të shkojnë në Mekë, por ky kusht e ndryshon situatën.

Pasaporta e të vaksinuarve, SHBA nuk e ka në plan

Amerika nuk ka ndërmend të fusë në përdorim pasaportën e të vaksinuarve për shtetasit e saj. Këtë lajm e konfirmon këshilltari kryesor i presidentit Biden për pandeminë, Anthony Fauci, sipas të cilit një masë e tillë mund të përfshihet për t’u siguruar që gjërat janë bërë në mënyrë korrekte dhe të drejtë, por nuk do të jetë forca lëvizëse. “Pandemia kërkon masa të vazhdueshme mbrojtëse, por kjo nuk hyn në planin e qeverisë së presidentit Biden”, tha ai.

Izraeli në krizë, Netanyahu merr mandatin, por nuk ka mbështetje

Kryeministri në detyrë i Izraelit, Beniamin Netanyahu, ka 28 ditë afat për të krijuar qeverinë e re pas zgjedhjeve të 23 marsit, ku partia e tij mori shumicën e votave, por jo aq sa i duhen për krijimin e shumicës në parlament. Presidenti izraelit, Reuven Rivlin, i ka dhënë mandatin kryeministrit për formimin e një qeverie të re, por nëse brenda këtij afati nuk mund të bëhet, ai mund të ngarkojë një kandidat tjetër në përpjekjen për të formuar një koalicion qeverisës. Opozita duket e vendosur të mos bashkëpunojë me të pas akuzave për ryshfet që Netanyahu po përballet në gjykatë.