Greva në Rinas, shkëmbime akuzash mes kryeministrit dhe presidentit, Meta: Ta jap përgjigjen sot pasdite nga Vlorë

Rama meta 1100x620

Greva e punonjësve të Albcontrol në Rinas, kompanisë që menaxhon kontrollin e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, është shoqëruar me akuza mes presidentit dhe kryeministrit

Rama akuzoi Metën, së bashku me Berishën, si frymëzues dhe nxitës së kësaj “goditje të çmendur”, siç e quajti ai.

“Ilir, dokrrat me injorimin e kërkesave të pseudosindikatës së kontrollorëve dhe predikimet për mosndërprerjen e punës në aeroport nuk pinë ujë! Je një nga dy nxitësit e kësaj goditjeje të çmendur, në kërkimin e palodhur të rrëzimit të qeverisë e të vetë shtetit! T’i harrosh të dyja!”

Brenda pak minutave reagoi edhe Meta, i cili me anë të një statusi në Facebook shkruan se sot pasdite, nga Vlora, do të japë përgjigje për aeroportin. Me ironi, Meta shkruan më tej se konferencën do ta mbajë në aeroportin e Vlorës, ndërsa fton atje edhe “tërmetin”.

“Qeverisë së 1 Prillit do t’ia jap sot pasdite nga Vlora përgjigjen për çështjen e Aeroportit të Rinasit, si çështje shumë e rëndësishme e sigurisë kombëtare dhe e detyrimeve ndërkombëtare.

Nëse është hapur Aeroporti i Vlorës, konferencën e shtypit do e bëjmë atje, por nëse jo, në një ambient tjetër të përshtatshëm për të cilin gazetarët do të njoftohen në kohë.

Ftohet dhe “Tërmeti” të marrë pjesë për shkak të përvojës së tij me aeroportet, fluturimet dhe jo vetëm”.