Komiteti Teknik nuk ndryshon masat: Shqetësim, grumbullimet elektorale

7 PRILL 2021 KOMITETI frame 2102 1100x620

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të mos ndryshojë masat kufizuese në vendin tonë edhe për dy javët e ardhshme. Zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, theksoi se pavarësisht përmirësimit të lehtë të situatës, për shkak edhe të vaksinimit masat do të vijojnë të qëndrojnë në fuqi. Ajo ngriti shqetësimin për grumbullimet në takimet elektorale.

“Përmirësim i lehtë i situatës, pavarësisht rënies së pozitivitetit të testimit. Masat e propozuara kanë qenë efikase dhe natyrisht ky rezultat vjen si bashkëpunim i qytetarëve. Një nga arritjet e mëdha ka qenë fushata e vaksinimit jo vetëm në drejtim të numrit të vaksinimit, por Shqipëria ka zënë vendin e parë në rajon sa i përket ritmit të vaksinimit duke ia kaluar edhe Italisë, Greqisë dhe Serbisë, për shkak të organizimit perfekt. Situata nuk është aty ku duhet të jemi dhe mendohet që masat të mbeten në të njëjtin nivel që kanë qenë nuk ka asnjë ndryshim. Nuk do të lejohet lëvizja nga ora 20:00-06:00. Baret e restorantet pas kësaj ore do të jenë të mbyllura.  Fluturimet me Britaninë edhe këto dy javë mbeten të pezulluara. Nuk lejohen grumbullimet mbi 10 veta”, tha Rakacolli.

Nga ana e saj, drejtuesja e Shëndetit Publik, Albana Fico, theksoi se  ka ulje të të gjithë indikatorëve të situatës epidemiologjike dhe në javën e fundit ka pasur ulje të vdekjeve nga 70 në 55 këtë javë.

 “Incidenca dy javore ka pësuar ulje nga 268 raste për 100 mijë banorë, në 179 raste për 100 mijë banorë. Pozitiviteti i mostrës vazhdon të ulet. Mesatarja e rasteve të reja për javën që lamë pas ka rënë nga 342 në 141 raste të reja. Vlen të theksohet se edhe numri total i rasteve aktive ka rënë në 29,618 nga 30,090. Por nga ana tjetër kemi vënë re që ka një rritje të numrit të bashkive të vogla të prekura dhe ky numër nga 32 ka shkuar në 38”.

Po kështu ka rënë edhe numri i kërkesave për ndihmë në urgjencë dhe numri i shtrimeve vijon të jetë i ulët.

“Thirrjet tek 127 vijojnë të jenë konstante, janë 1700 në 24 orët e fundit. Ajo që vihet re është se nurmi i vizitave për covid ka rënie. Numri për qarkun e Tiranës me qarqet e tjera është barazuar, ka një rritje në qytetet e tjera. Edhe numri i shtrimeve vijon të jetë në ulje, gjë që tregon për një ulje të të gjtihë indikatorëve. Ka 3-4 fshatra që i janë shtuar së fundmi listës së qyteteve me infektime, ka zona të largëta të reja të prekura nga COVID19”, tha Brataj.

Numri i rasteve të infektuara te fëmijët po ashtu po ulet nga dita në ditë. Nuk ka raste në terapi intensive apo fatalitete.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka shprehur shqetësimin që gjatë fushatës elektorale, disa subjekte politike po zhvillojnë grumbullime në kundërshtim me rregullat e vendosura, ndërkohë që kanë bërë thirrje që të zbatohen rregullat e vendosura.

“Jemi shumë të shqetësuar sepse padyshim grumbullimet e vërejtura nga disa subjekte politike patjetër që do të çojnë në një rritje të numrit të të infektuarve në të ardhmen dhe ajo çfarë është më e keqja patjetër që do të çojnë në një rritje të humbjeve të jetës. Ju bëjmë një apel të gjitha subjekteve politike që takimet e tyre elektorale t’i zhvillojnë në përputhje me rregullat, për mos lejimin e grumbullimeve të mëdha, për mbajtjen e distancën fizike, mbajtjen e maskës dhe të gjitha masave që tashmë janë bërë të qarta”, apeloi Rakacolli.