Korrupsioni në Shqipëri, Palmer për A2: Presim që njerëzit me ndikim të dënohen

Palmer A2 Bruksel 1100x620

A2 pyeti zv.ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, për zgjedhjet, ndëshkimin e korrupsionin dhe shembujt që kërkon SHBA-ja në vendin tonë në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.

Palmer theksoi se SHBA-ja dhe shqiptarët kërkojnë të shohin që figurat e fuqishme, njerëzit me ndikim, njerëz që në të kaluarën kishin një pritshmëri se do të ishin të mbrojtur, të japin llogari, të ketë dënime.

“A mendoj nëse udhëheqësia në Tiranë po e dëgjon mesazhin tonë? Absolutisht. Ambasadorja Kim është shumë gjëra, por nuk ka dyshim që është shumë e qartë. Dhe, mendoj që kjo është një vlerë e rëndësishme kur ne komunikojmë për çështje me rëndësi si reforma në drejtësi, si llogaridhënia. Mendoj që Shtetet e Bashkuara kanë një detyrim dhe përgjegjësi ndaj Shqipërisë për të qenë të qarta dhe pa kurrfarë paqartësie në mesazhet tona për këtë. Ne kemi çdo pritshmëri për t’i kërkuar standarde të larta Shqipërisë.

Sinqerisht, nuk është një standard që vendi do ta arrijë nesër apo pasnesër. Ajo që duam të shohim është që Shqipëria të jetë gati të zërë vendin e saj si anëtare e Bashkimit Europian dhe janë 80 000 faqe rregulla që duhen për “acquis” dhe ka kërkesë për të demonstruar se ka një historik të fortë transparence dhe llogaridhënieje për ata që kryejnë korrupsion. Kjo është një nga vlerat themelore të Bashkimit Europian. Është një prej vlerave themelore të aleancës ndëratlantike. Antikorrupsioni është një vlerë thelbësore, jo thjesht për BE-në, por është vlerë kyçe edhe për NATO-n.

Është një vlerë kyçe edhe për Shtetet e Bashkuara. Diçka qendrore për partneritetin tonë me Shqipërinë. Është bërë përparim. Ka vërtet shumë për të bërë. Dhe ajo që duam të shohim është që figurat e fuqishme, njerëzit me ndikim, njerëz që në të kaluarën kishin një pritshmëri se do të ishin të mbrojtur, të japin llogari. Duhet të ketë ndjekje penale. Duhet të ketë dënime. Ata që dënohen duhet të kryejnë dënimet. Këtë pamje ka llogaridhënia dhe gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Mendoj që prirjet e përgjithshme janë në drejtimin e duhur, por jemi të paduruar. Dhe besoj që populli shqiptar është i paduruar. Dhe do të donim të shihnim që përparimi në këtë fushë të përshpejtohet dhe të bëhen shembuj”, u shpreh Palmer.

Një ditë më parë, Matthew Palmer zhvilloi një takim virtual me kryeministrin Edi Rama, presidentin Ilir Meta dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha, ku janë diskutuar kryesisht çështjet e zgjedhjeve të 25 prillit dhe marrëdhëniet mes 2 shteteve.