Kufiri Shqipëri-Kosovë, procedurat krijojnë radhë kilometrike

Edhe pse cilësohet si doganë e përbashkët Shqipëri-Kosovë, vazhdon kalvari i pritjeve për qindra automjete të tonazhit të rëndë dhe mallrave.

Drejtuesve të këtyre mjeteve u duhet të presin me orë, madje në disa raste edhe me ditë për të kaluar kufirin, shkak për këtë janë vonesat e procedurave doganore të Kosovës dhe skanimi i mjeteve.

Kjo radhë kilometrike e kamionëve në Morinë është pasojë e këtyre procedurave, por që sipas drejtuesve të kamionëve, është edhe shkak i faktit që nuk punohet.

Edhe pse zënë pjesën më të madhe të shkëmbimeve tregtare Kosova dhe Shqipëria ende nuk po gjen një zgjidhje për të lehtësuar më tej procedurat në kufi. Premtimet e shumta në këtë drejtim duket se nuk kanë prodhuar asgjë tjetër, përveçse kësaj radhe kilometrike që përsëritet çdo ditë.