Mungesa e stafit, bllokohen dy fluturime pas protestës së punonjësve në Rinas

Greva e kontrollorëve të trafikut ajror ka përshkallëzuar në ndërprerjen e fluturimeve mëngjesin e sotëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Prej orës 09:23 deri më 09:55, ulja dhe ngritja e avionëve ka qenë e pamundur, duke ndikuar direkt në fluturimin Athinë-Tiranë, që është kthyer mbrapsht dhe atë Stamboll-Tiranë, që ka qëndruar për rreth 40 minuta në ajër.

Arsyeja e këtij ngërçi është fakti se 68 punonjës të Albcontrol, kanë firmosur deklaratën për paaftësi të përkohshme për punë, pas nisjes së procedurave për shkarkimin e disa kolegëve të tyre. Kontrollorëve ajrorë, një prej profesioneve më të paguara në botë dhe me nivelin më të lartë të stresit, u janë ulur pagat me rreth 20%.

Tashmë ata kërkojnë nënshkrimin e kontratave të reja, transparencë në fonde, akses në vendimmarrje dhe kthimin në punë të kolegëve. Mbrëmjen e djeshme ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi për një konferencë për shtyp lidhur me këtë çështje, por negociatat kanë dështuar. Palët janë ende në tryezën e negociatave dhe gjatë ditës pritet një njoftim zyrtar.

Vijimi i grevës mund të paralizojë të gjitha fluturimet në vend.