Pezullimi i fluturimeve, cila është zgjidhja?

a2b 1100x620

Prej 24 orësh, vendi është i izoluar përsa i përket fluturimeve ajrore. Asnjë avion nuk ulet më në pistën e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Kjo pasi kontrollorët e trafikut ajror kanë pezulluar punën, me argumentin se që prej një viti u janë ulur pagat. Një situatë e paprecedentë është krijuar në aeroport, me qytetarë që presin me valixhe në duar dhe të tjerë që mbetën në ajër, pasi nuk mundën që të uleshin në pistë.

Në një lidhje direkte me studion e “A2 Business”, kontrollorët u pyetën se cila është zgjidhja për këtë ngërç.

“Presim në çdo kohë zgjidhje dhe negociata. Në fillim, nga Ministria nuk është tentuar të bisedohet me ne, por tek e tek. Duan të na përçajnë. Por, jemi të hapur në çdo moment për negociata. Ne kemi dërguar letra në çdo institucion. Te “management” i Albcontrol, ministres së linjës, kryeministrit, Presidentit dhe Ambasadës Amerikane. Ne kërkojmë rikthimin e kolegëve tanë që janë pushuar nga puna dhe heqja e vendimit të bordit që është marrë një vit më parë”, deklaruan kontrollorët.

Sipas juristit Jordan Daci, “kontrata e punës nuk mund të ndryshohet në mënyrë të njëanshme; Duhet rishikuar urgjent statusi i kompanisë dhe ky sektor nuk mund të jetë kompani “sh.a”. Duhet rishikuar edhe mënyra e funksionimit; nuk mund të procedohet njeri penalisht se nuk dëshiron të punojë”.

Eksperti i ekonomisë, Bardhi Sejdarasi mendon se zgjidhja është që “50% e kontrollorëve të indinjuar t’i kthehen punës që të vijojnë fluturimet, që të mos pengohet një nga veprimtaritë më të rëndësishme. Nëse kanë probleme me kontratën e punës, ta zgjidhin me gjyq”.

Ndërsa eksperti i transportit ajror, Dritan Goxhaj nënvizoi se “ky konflikt zgjidhet në mënyrë administrative”.

“Vendimi i bordit ka marrë fuqi pas firmosjes së ministres së Infrastrukturës dhe ajo mund ta shfuqizojë vendimin”, deklaroi Goxhaj.