Raporti vjetor për vitin 2020, SPAK përgjoi 1175 persona, dërgoi 70 çështje në gjyq

Plot 1175 persona janë përgjuar gjatë vitit 2020 për llogari të hetimeve të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Shifra u bë publike nga SPAK, në raportin vjetor të punës së këtij institucioni për vitin e kaluar. Sipas raportit, SPAK ka përdorur metodën e përgjimeve në 91 hetime, duke dëgjuar në kufje bisedat apo kontrolluar komunikimet elektronike të 1373 numra telefoni.

 Për rezultat janë ndaluar 171 persona të dyshuar për kryerje veprash penale. Në raport theksohet se gjatë vitit 2020 SPAK ka përfunduar hetimin për 216 çështje, duke çuar për gjykim 70 prej tyre. Numri më i madh i të pandehurve, plot 113 i përket të akuzuarve për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar.

Për veprat penale që lidhen me korrupsionin janë dërguar në si të pandehur 95 persona. SPAK veçon se në 4 çështje të pandehurit kanë qenë në hetim për shkak të cilësive të tyre, si ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ish-anëtari i KPA, Luan Daci dhe dy ish-kryetarë bashkish.

Gjatë vitit të kaluar SPAK ka përpunuar 69 kërkesa për ndihmë juridike nga autoritetet gjyqësore të viteve të kaluara, ku numrin më të lartë me 14 kërkesa e mban Italia. Ndërsa vetë SPAK ka kërkuar ndihmë në 41 raste për verifikime jashtë vendit, ku kryesojnë nga 6 kërkesa drejt Greqisë dhe Gjermanisë.