Rinas, kontrollori flet për A2: Jemi njerëz të sakrificës, problemi vjen nga larg por nuk ndihemi në grevë

Në një situatë vërtetë kaotike në aeroportin ndërkombëtare “Nënë Tereza”, një nga kontrollorët që sot kanë bllokuar përditshmërinë e punës duke pezulluar trafikun ajror në vend, rrëfen për A2 arsyet e tyre.

Bëhet fjalë për Olsi Petrin, me 15 vjet karrierë në Albcontrol, supervizor i turnit që pothuajse po mbaron. Ai mohon se ky është vendim grupi, madje as që janë teknikisht në grevë.

“Kemi kolegë brenda në ndërmarrje, për pak ndërrohet turni, por ne jemi të gjithë këtu. Nuk mund të them që ky është vendim grupi. Në qoftë se një shkak sjell një pasojë, nuk di si mund të cilësohet. Një pjesë është ndjerë i stresuar, dje u dhanë letra dy kolegeve për t’u shkarkuar. Është e vërtetë që kodi i punës i ndalon kontrollorët nga e drejta e grevës, por unë nuk ndihem në grevë. Kontrollorët kanë shpallur paaftësinë e përkohshme, për momentin po punojnë vetëm ata që nuk e kanë shpallur, dhe kemi informacion që hapësira ajrore shqiptare është mbyllur”.

Petri dëshiron të specifikojë që “ në rast se një kontrollor ndihet i stresuar, ai duhet ta deklaroje dhe ka të drejtën të marrë pushime, të vizitohet nga mjeku deri sa të përcaktohet si i aftë ose të deklarojë se e ka kaluar këtë fazë, sepse përndryshe afekton në punën e të tjerëve”.

Por Petri nuk mohon se problematika  e kontrollorëve vjen nga larg. “Ky është problem që ka filluar në marsin e vitit të kaluar, kontakti i fundit me drejtuesit ka qenë qershori i vitit të kaluar, dhe rifillimi i bisedimeve ka rifilluar më 16 mars. Kur kemi qenë në takim me ministren janë paraqitur dy kërkesa të panegociueshme, u duk sikur nuk kishte mundësi dialogu dhe kontrollorët kanë lënë bisedimet”.

Ai ka edhe një brengë. “Kontrolloret janë njerëz të sakrificës, nuk duhen të atakohen kontrollorët, në kohë pandemie kemi qenë në gatishmëri, ndihem i ofenduar që sot etiketohemi si njerëz politik”.