Avokati i kontrollorëve: Nuk ka “shpërdorim detyre”, Albcontrol është i pavarur nga shteti

Avokati i kontrollorëve të Albcontrol, Rezart Kthupi, dha detaje mbi situatën e klientëve të tij, të cilët u shoqëruan në polici, pas nisjes së hetimeve nga ana e prokurorisë.

“Janë 24 kontrollorë të shoqëruar, një pjesë janë marrë nga hoteli pranë ambienteve të Albcontrol, pjesa tjetër janë paraqitur vullnetarisht. 4 sapo kanë dalë. Kanë dhënë shpjegime për situatën, janë lënë në gjendje të lirë, nuk ka akuza të ngritura”, tha Kthupi.

Ai komentoi edhe mbi hetimet e nisura nga prokuroria për “shpërdorim detyre”. “Është një vepër penale për punonjësit publikë. Në rastin e punonjësit të kontrollit ajror nuk e di cili është arsyetimi. Albcontrol është SH.A, entitet krejtësisht i pavarur nga shteti shqiptar”, tha Kthupi.