Bllokimi i Rinasit, publikohen vendimet e Komitetit të Mbrojtjes Civile

Komiteti i Mbrojtjes Civile zhvilloi një mbledhje online në lidhje me situatën e krijuar në aeroportin “Nënë Tereza” dhe diskutoi në lidhje me masat e nevojshme që duhen ndërmarrë për rikthimin sa më shpejt të normalitetit.

Komiteti i Mbrojtjes Civile vendosi që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të marrë masat e nevojshme për të bërë operacional kontrollin e trafikut ajror, qoftë edhe duke zëvendësuar nëse lind nevoja, kontrollorët e larguar me kontrollorë të rinj vendas ose të huaj.

Po ashtu, kjo ministri u ngarkua të përcaktojë kriteret minimale të licencës sipas standardeve ndërkombëtare si dhe çdo kriter tjetër të nevojshëm për të filluar fluturimet sa më parë.

Autoriteti i Aviacionit Civil u ngarkua të marrë të gjitha masat e nevojshme për rifillimin gradual të operimit ajror dhe në rast nevoje, të licencojë në mënyrë të përshpejtuar kontrollorët e trafikut ajror në përputhje me urdhrin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.