Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
8 Prill 2021, 08:01 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

“Amnesty International”: Dhuna në familje pëson rritje në Shqipëri, përmendet shembja e Teatrit dhe ligji antishpifje

Në raportin e Amnesty International për të drejtat e njeriut gjatë vitit të shkuar, publikuar mbrëmë, vihet re se në vendin tonë ka lëshuar rrënjë problemi i dhunës në familje."Dhuna në familje shënoi rritje gjatë muajve të pandemisë”, vëren raporti. Në këtë pikë përmend edhe kërcënimin e kryeministrit ndaj disa mediave për përhapje të panikut. Nuk lihen pa përmendur dhuna me bazë gjinore, diskriminimi i pakicave rome, përdorimi i forcës së tepruar dhe mungesa e lirisë së fjalës që përmblidhet me ligjin e paketës antishpifje.

ARRSH nis riparimin e autostradës Tiranë-Durrës

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar të gjithë drejtuesit e mjeteve se aksi Tiranë-Durrës do i nënshtrohet sot riparimeve. Deri me datë 21 prill çdokush që duhet të kalojë nga ky aks duhet të ndjekë rrugët alternative. "Sipas planit të menaxhimit të trafikut “të rishikuar”, qarkullimi do të bëhet në një korsi të autostradës në varësi të pjesëve ku do të punohet. Për të shmangur vështirësitë, qytetarët këshillohen të ndjekin rrugët dytësore, ose rrugë të tjera alternative", thuhet në njoftimin zyrtar në lidhje me këtë zhvillim. 

BE do të vendosë për të përdorur AstraZeneca për personat mbi 60 vjeç

Vendet e Bashkimit Europian pritet të konfirmojnë njëzëri se vaksina e kompanisë AstraZeneca do të përdoret vetëm te personat mbi 60 vjeç për të shmangur rastet e mpiksjes se gjakut siç ka ndodhur me parë që sikurse e pranon edhe Agjencia Europiane e Barnave janë të lidhura me vaksinën, por janë shumë të rralla dhe të mirat që ofron ky produkt janë më të shumta sesa efektet anësore.

Pandemia e koronavirusit, 15% e italianëve refuzojnë AstraZeneca

Italia duket se ka një problem me vaksinat që përveç mungesës së dozave lidhet edhe me mohimin e tyre. Vetëm në zonën e Lombardisë, raportojnë autoritetet, mbi 15 për qind e personave që ftohen të vaksinohen, nuk kanë pranuar vaksinën e AstraZeneca, pavarësisht se edhe dje Agjencia Europiane e Barnave konfirmoi se të mirat prej saj janë më të shumta. Në të gjithë vendin 11 milionë persona kanë marrë të paktën një dozë, ndërkohë që 3,5 milionë janë imunizuar totalisht.

Shtimi i pacientëve në terapi intesive, Merkel: Një tjetër izolim do ishte i duhur

“Një izolim tjetër do të ishte i duhur”, tha kancelarja Angela Merkel pas raportimit se në terapitë intensive po shtohet numri i pacientëve. Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, shpjegoi se numri i pacientëve në kujdes intensiv është rritur me 5% në një ditë. “Kjo tregon se sistemi shëndetësor rrezikon të vihet nën presion", tha ai. Në këtë kuadër, Mynihu, i cili nga dje liroi masat kundër Covid kërkoi të zgjerojë sasinë e vaksinave për qytetarët e tij. Drejtuesi i landit, Markus Soeder njoftoi se ka porositur 2,5 milionë vaksina të ruses Sputnik dhe sapo të ketë një përgjigje përfundimtare nga Agjencia Europiane e Barnave ato do dorëzohen.

Çerekfinalet e Europa League, Roma, United e Arsenal zbresin në fushë

Champions i lë vendin Europa League sot, ndërsa luhen ndeshjet e para çerekfinale. Ajax-Roma duket në letër dueli më interesant i kësaj faze, me italianët që luajnë aktin e parë në Amsterdam. Roma do të ketë në dispozicion sulmuesin Edin Dzeko për këtë përballje, me boshnjakun që ka arritur formën optimale fizike. Në 8 më të mirat e Europa League janë edhe dy skuadra angleze, pretendente për trofeun. Manchester United që duhet të bëjë llogaritë ndaj Grandas në transfertë dhe Arsenal që do të presë në Londër çekët e Slavias Praga. Bileta tjetër e gjysmëfinaleve diskutohet mes Dinamo Zagreb që eliminoi Tottenham dhe spanjollëve të Villareal.

A2 CNN Livestream

Dita jonë