Kosova nis procesin e vaksinimit për personat mbi 85 vjeç

Të moshuarit mbi moshën 85-vjeçare nisën të vaksinohen kundër koronavirusit në Kosovë, vend ku fushata e imunizimit mbetet më e vonuara në rajon. Siç mësohet, përveç Prishtinës, vaksinimi i kësaj grupmoshe do të bëhet edhe në qytetet e tjera. 

Vaksinimi do të kryhet në qendra shëndetësore familjare, sipas planit, e  nga 11 prilli, kufiri i personave që do të mund të imunizohen do të ulet në 80 vjeç. 

Kosova ka nisur fushatën e imunizimit kundër koronavirusit më 29 mars, më vonë se çdo vend tjetër i rajonit, pas pranimit të 24 000 dozave të vaksinave të kompanisë AstraZeneca, përmes programit COVAX.

Sipas autoriteteve, deri të mërkurën, janë vaksinuar mbi 5400 mjekë dhe infermierë të sektorit publik dhe privat.  

Shqipëria u ofrua të ndihmonte Kosovën me vaksinimin e mësuesve, por qeveria Kurti refuzoi dozat e vaksinës kineze Sinovac, me pretendimin se ajo nuk ishte miratuar nga rregullatori europian.

Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, ka njoftuar se gjatë muajit maj Kosova do të furnizohet edhe me 76 800 doza të tjera të AstraZeneca. Në total, do të marrë falas 100 800 doza të kësaj vaksine nga programi i drejtuar nga OBSH-ja.