“Mbylle kullën!”, “Guxim kam, por jo deri këtu”. Zbardhen bisedat e kontrollorëve

Ndalimi i 3 punonjësve të Albcontrol të cilët ishin pjesë e grupit të kontrollorëve që pezulluan punën duke sjellë bllokimin e fluturimeve në Rinas u bë me iniciativën e policisë.

Në procesverbalin e urdhërndalimit të Armando Fezgës, kreu i Sindikatës së Kontrollorëve Ajrorë, policia thotë se personi “ka rrezik ikjeje”. Ai dyshohet për veprën penale për “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim.

Nga bisedat e bëra mes kontrollorëve në WhastApp, të siguruara nga policia pas sekuestrimit të telefonave, zbadhen edhe detaje mbi organizimin e kontrollorëve. Njëri prej kontakteve, i quajtur “Klesti”, shkruan në grup “Mbylle kullën”. Ndërsa një tjetër kontrollor, i quajtur “Hajredin”, thotë: “Guxim kam, por jo deri këtu, se ato letra i djeg “Maxi” me çakmak prapa ndërmarrjes”.

Sipas Policisë, Fezga dhe dy të ndaluarit e tjerë, Flora Ndreca dhe Muhin Mezini, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë bërë rezervimin e dhomave në hotelin pranë aeroportit, kanë ndikuar te vartësit e tyre për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për punë, me qëllim shmangien nga detyrimi ligjor për të ushtruar detyrën. Me veprimet e tyre ata kanë shkaktuar pasoja të rënda në dëm të udhëtarëve dhe personit juridik, Aeroportit të Rinasit.

Në procesverbalin e ndalimit, Fezga nuk i ka pranuar pretendimet e policisë.